Alarmi i Dr.Jorgji: “Të rinjtë përdorues të nargjilesë dhe vape-ve janë ushtritë e pneumopatëve të së ardhmes”
Po bëhet gjithmonë e më shumë e modës, por përdorimi i nargjiles apo vape-ve shkakton dëme të rënda në mushkëri. Dr.Ardian Jorgji, mjek peumolog pranë Spitalit Amerikan 3, ngre alarmin se këto dëme mjekët po i hasin në mosha gjithmonë e më të reja.
“Po i konstatojmë edhe në moshat 15, 16 vjeçare. Dua të kujtoj që ndërtimi i organizmit mbaron në moshën 24-25 vjeç që do të thotë se kemi dëme në mushkëri të cilat do t’i shoqërojnë këta persona gjatë të gjithë jetës. Nargjileja shkakton nga inflamacioni difuz të gjeneralizuar në mushkëri edhe komplikacione të tjera. Pacientët me moshë të re paraqiten me inflamacion të gjeneralizuar në mushkëri nga përdorimi i shishës deri edhe ujë në mushkëri. Sidomos vape-t, por edhe shishat sot janë bërë në modë dhe kjo është një frymë që ju drejtohet moshave të reja, të cilat pa e vrarë shumë mendjen për pasojat marrin pjesë në përdorimin e këtyre produkteve. Këto mosha janë ushtritë e reja të pneumopatëve të së ardhmes”, theksoi Dr.Ardian Jorgji.
Ulja e sasisë së konsumuar nuk e zgjidh problemin, ndërkohë mjeku pneumolog ka disa këshilla për përdoruesit.
“Shpesh pyesin, doktor po sikur ta pakësoj cigaren? Ka një shprehje të vjetër në mjekësi. Për atë që ka probleme, 3-4 cigare në javë mjaftojnë për të mbajtur problemin. Para disa vitesh kam thënë që shkaktojnë goxha dëme dhe sot është thuajse e provuar. Unë sugjeroj aktivitetin fizik, është kryesor. Edhe për ata që akoma nuk janë gati për të lënë abuzimet… Po e theksoj me keqardhje që përdoruesit e vape-ve dhe nargjileve janë pneumopatët e së ardhmes dhe mbase me më tepër pasoja se duhanpirësit tradicionalë. Këtu kontribuon edhe dëmi i madh që bën ndotja e ambientit, cilësia e ushqimeve dhe ujit. Kështu që do shumë kujdes, sidomos nga moshat e reja”, këshillon mjeku pneumolog.
Shendetshem