Plazhet në zonën e Gjirit të Lalëzit që prej vitesh janë shndërruar në oazin e pushuesve ditor të banorëve të kryeqytetit. Me infrastrukturë të dedikuar kryesisht për familje mesatare dhe nën këtë nivel, këtë sezon ato janë bërë të papërballueshme. Përveç naftës çmimet e çadrave dhe shërbimeve të tjera janë rritur së paku me 60% këtë sezon.
Shpenzimet ditore për një person që udhëton nga Tirana me automjetin e tij në një nga plazhet më të lira të Shën-Pjetrit në zonën e Gjirit të Lalëzit arrijnë 3500 Lekë nga 2100 Lekë që ishin vitin e kaluar, nëse merren në konsiderate shpenzimet minimale ( karburanti, çadra, një kafe +ujë).
Për të përshkuar pak më shumë se 80 kilometra nga Tiranë në Lalëz ( vajtje+ardhje) makinë mesatare i duhen rreth 2500 Lekë karburant nga rreth 1500 Lekë një vit më parë. Shpenzimet për naftën janë rritur së paku me 66% në krahasim me vitin e kaluar.
Çmimi një çadre është rritur me 60%, në 800 Lekë në rastin më të mirë nga 500 Lekë që ishte vitin e kaluar. Gjithashtu çmimet janë rritur edhe baret dhe restorantet. Një kafe e shoqëruar me ujë kushton së paku 30% më shtrenjtë se vitin e kaluar.
Kostot e larta të plazheve popullore që frekuentohen nga shtresa mesatare e kryeqytetit, po i kthejnë ata në plazhe “luksi”. Për shkak të çmimeve të larta, frekuentimi i tyre është ulur ndjeshëm.
Administratorët e plazheve pohuan se numri i frekuentuesve në fundjavë ka rënë së paku me 50% për qind, duke i çliruar ato që kanë mundësi të përballojnë kostot, prej trafikut dhe mbipopullimit. Por, sipas tyre rritja ishte e pashmangshme prej rritjes së qirave, lëndëve të para etj.
Popullsia me të ardhura nën mesataren dhe shtresa e pensionistëve e ka të vështirë të përballojë kostot e pushimeve ditore këtë vit.
Sezoni turistik këtë vit ka nisur më shpejt se vitet e tjera për shkak të kohës së favorshme në krahasim me vitet e tjera. Pavarësisht çmimeve më të larta shtetasit e huaj që zgjedhin Shqipërinë për fundjave apo për pushime po rritet.
Sipas të dhënave të INSTAT numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri gjatë pesë mujorit të parë ishte mbi 1.6 milionë persona me rritje vjetore mbi 54%.
Heqja e masave kufizuese për udhëtimet pas pandemisë nga shumica e vendeve ka çuar në rritje të udhëtarëve. Me gjasë të këtë sezon do të konsumohen pushimet e munguara. Por për një pjesë të popullsisë me nivel të ulët ekonomik, plazhet dhe strukturat hoteliere po bëhen të pakapshme. / monitor