TIRANE– Sokol Hoxha, djali i ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha zbulon amanetin e fundit që i la i ati. Në një intervistë të dhënë për “Panorama”, ai tregon se ende nuk e di pse ishte i preferuari i të atit.
“Nuk di ta them me saktësi. Ndoshta për zgjedhjet e drejta që kisha bërë në jetë, gjë që ma ka thënë disa herë. Më vjen keq që nuk i jam hapur, madje kur ai më është hapur, unë i jam mbyllur”, thote ai ne “Panorama”.
Sokol Hoxha zbulon se Enveri e kishte pike te dobet nusen e tij, Lilianen.
“Vërtet e ka pasur pikë të dobët. Këtë e them jo se është gruaja ime, por ai ma ka theksuar disa herë. Ndoshta se Liliana ishte vajzë populli me cilësitë e veta që ai ia vlerë sonte aq shumë, si ndjeshmëria, idealizmi dhe mospajtimi me padrejtësitë”, thotë ai, dhe shton se kjo gjë kishte krijuar shqetësim te familja.
Sokoli tregon amanetin që i la Enveri 9 ditë para se të vdiste.
“Tetë apo 9 ditë para se të vdiste, amaneti i tij ishte të ruheshim dhe sidomos të ruaja Lilianën. Ma ka thënë troç: “Ruajuni dhe sidomos ruaj Lilianën”, thotë ai. Pyetur nga “Panorama” se “Ç’do të thoshte me ruajuni”?, ai përgjigjet: Siç kishte kuptuar qëllimin kundër atij vetë muajt e fundit të jetës, kishte kuptuar sidomos qëllimin kundër nesh. Me këtë donte të na bënte vigjilentë doemos pa u futur ai vetë në detaje, kur ishte evidente se pjesa tjetër e familjes, filluar nga mamaja, ishte totalisht e lidhur me Ramiz Alinë”.