Për të pestin muaj me radhë, çmimet e produkteve të konsumit në botë, përfshirë drithin, vajin e zarzavatet kanë rënë sipas Organizatës së kombeve të Bashkuara për Ushqimin.
Po çfarë do të thotë kjo për shqiptarët? A do të paguajnë ata më pak?
Sipas pedagogut Zef Gjeta, “për fatin e keq ne jemi në ekstrem, dhe ulja ndihet më pak. Ka arsyeje psikologjike dhe praktike. Produktet e importit i nënshtrohen transportit, kostoja e të cilit është shumëfishuar”.
Ndërkohë, për Theodor Kristulin, nga Unioni tregtar Agro-Ushqimor, “çmimi i blerjes së shumicës është tani 77-80 lekë maksimumi, në një kohë që ka qenë diku tek 90 lekë, pra ka një ulje me 10 lekë”.
Të korrat e grurit në hemisferën veriore po ndihmojnë në lehtësimin e kufizimeve të furnizimit, ndërsa më shumë drithëra po dalin nga portet e Ukrainës.
“Ukraina ka 20 milionë tonë nga vjet dhe 40 milionë nga korrja e këtij viti, që do të qetësojë tregun”, shton Kristuli. Por buka nuk është më e lirë. Në furra ajo vijon të tregtohet me çmime të rritura dhe kjo e ka një arsye.
Zef Gjeta është i mendimit se “tregtarët janë mësuar me atë çmim, dhe duan të fitojnë maksimalisht, nuk do të ulin çmimet”.
Në korrik, Instituti i Statistikave raportoi se për muajin korrik inflacioni arriti në 7.5 për qind, një rritje me 0.3 për qind krahasuar me muajin qershor të këtij viti.