Euro ka zbritur këtë javë në nivelin më të ulët historik në raport me monedhën shqiptare, duke u këmbyer në tregun valutor me vetëm 97 lekë. Të njëjtin trend rënës kanë ndjekur edhe monedhat e tjera, si dollari amerikan dhe paundi britanik, të cilat këmbehen përkatësisht me 84.8 dhe 114.8 lekë.
Sipas ekspertëve të tregut financiar, ky zhvlerësim i euros ndikohet nga rritja e ofertës në treg, si dhe mungesa e kërkesës së brendshme për valutë të huaj.
Në terma praktikë, një euro më e dobët përkthehet në fuqi më të madhe blerëse për konsumatorin, por në të njëjtën kohë dëmton eksportuesit dhe bizneset që operojnë me të ardhura në euro. Situata mbetet e luhatshme dhe shumë operatorë ekonomikë janë në pritje të një stabilizimi të tregut.
Banka e Shqipërisë ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet dhe ka sinjalizuar se nuk do të ndërhyjë për sa kohë kursi i këmbimit ndjek rregullat e tregut.