“Vala e të nxehtit që përfshiu vendin në ditët e para të qershorit, solli temperatura të larta, të regjistruara në stacionet tona meteorologjike, që arritën deri në 37 gradë celcius në Kuçovë dhe Elbasan.
Gjatë ditëve që vijnë vendi ynë e madje edhe Ballkani do të përfshihet nga masa ajrore të paqëndrueshme, që do të sjellin reshje shiu, reshje që do të nisin të mërkurën dhe do të vazhdojnë deri të premten, kryesisht gjatë orëve nga mesdita deri pasdite. Reshjet do të përfshijnë gati gjithë territorin e vendit tonë. Ditën e enjte reshjet do të kenë karakter shtrëngatash me rebeshe, kryesisht në pjesën veriperendimore dhe atë perëndimore të territorit, në bregdet. Aty do të kemi edhe rrufe, por njëkohësisht edhe reshje breshëri. Breshëri do të bjerë me kohëzgjatje të shkurtër, do të jetë i lokalizuar në zona të caktuara, aty ku do të gjejë kushte.
Përsa i përket temperaturave të ajrit, për shkak të këtyre masave të paqëndrueshme dhe të lagështa, do të pësojnë një rënie do të shkojnë nga 23-24 deri në 31 gradë celcius maksimumi në zonat e ulëta.
Ndërsa në fundjavë reshjet do të kthehen vetëm në zonat malore të vendit, në zonat lindore, në të cilat do të shfaqen reshje gjatë orëve të mesditës. Ndërsa gjatë fundjavës do të kemi edhe rritje graduale të temperaturave.
Kjo situatë është normale për qershorin. Valët e të nxehtit janë tipike për territorin shqiptar, pasi është vend në të cilin ndikon gjatë gjithë stinës së verës anticikloni I azoreve. Madje gjatë vitit që shkoi u regjistrua temperatura 40 gradë celcius gjatë qershorit në Tiranë. Po kështu edhe vitet e shkuara kemi patur valë të herëpas’hershme të nxehti gjatë qershorit, por tipike janë gjithashtu edhe zhvillimet e mesditës, që sjellin edhe reshje si këto të ditëve në vijim.”– tha Rreshtere Gentiana Stafa, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak