Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar sot programin për arsimin. Nën moton “Shqipëria fiton” dhe me prezencë të ekspertëve të arsimit, nga selia blu, Basha tha se ky plan është më i miri, duke e cilësuar arsimin si bazën dhe të ardhmen e shoqërisë.
Kreu i demokratëve theksoi se programi i tyre do të ndryshojë sistemin aktual të arsimit. Pika e parë e planit të Bashës është tekste falas për 350 000 nxënës. Po kështu ai theksoi se fëmijët e të gjitha familjeve në nevojë do të përfitojnë paket shkollore dhe tekste falas gjatë gjithë arsimit parauniversitar.
Duke iu referuar planit, Basha premton se do të ofrojë për çdo të ri dhe çdo të rritur shqiptar deri në 35 vjeç kurse private pa pagesë të platformës së mirënjohur amerikane Wducation World Wide për 5 gjuhë të huaja.
Kreu i demokratëve u zotua se do të rrisin me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Gjithashtu Basha tha se do të rrisim pagat me 50%, duke ju garantuar pedagogëve shqiptarë paga prej 900 Euro në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 Euro.