Barnat që përdorin pacientët me Covid në Shqipëri jane gabim ato duhet te…

Mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Meta-Dollenber, një nga themelueset e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, shpreson që autoritetet shqiptare të shëndetësisë t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së tyre për të bashkëpunuar në përditësimin e protokolleve të trajtimit të pacientëve me COVID-19 sipas protokolleve të BE-së.

Meta-Dollenberg shpjegoi se çfarë ka ndryshe protokolli i ndjekur nga autoritetet shqiptare të shëndetësisë me ato të Bashkimit Evropian.

Ajo tregoi se pas shqyrtimit të shumë rasteve nga Shqipëria, dolën në përfundimin se protokollet duhet të ishin përditësuar njësoj me ato të Bashkimit Evropian.

Për këtë ajo u shpreh se protokolleve të trajtimeve që ndiqen në Shqipëri u duhen përditësuar barnat që përdoren dhe sasia që këshillohet për t’u marrë, pasi gjashtë muaj më parë për medikamente, si për shembull antimalarikët apo për medikamentet kundër zgjebes, kishte qasje tjetër mbi sasinë e përdorimit, ndërsa tashmë gjykohet se duhen përdorur në mënyrë më të kufizuar.

Në edicionin qendror të lajmeve në Euronews Albania, e pyetur nëse ishin kontaktuar autoritetet shqiptare për këtë thirrje, Meta-Dollenberg tha se grupi i ekspertëve të drejtuar prej saj e kishte bërë një gjë të tillë, mirëpo ende nuk kishte marrë përgjigje. Sidoqoftë ajo tha se kishte marrë kontakte nga kolegë të saj në Shqipëri duke përcjellë shpresën për një reagim pozitiv për bashkëpunim, në mënyrë që të arrihet rregullimi protokolleve sidomos për zonat e tjera.

“Përditësimi, bashkimi, apo dhe plotësimi i protokolleve do të bënte të mundur arritjen e një stadi më të fundit të studimeve shkencore që ekzistojnë mbi COVID-in, e kështu që trajtimi i pacientit të jetë fjala e fundit dhe jo të bëhet sipas trendit që kanë firmat farmaceutike në Shqipëri, apo faktorëve të tjerë që nuk duhet të kenë asnjë lloj roli në trajtimin e saktë të rasteve,” – tha ekspertja.

Specialistja e shëndetësisë komentoi më pas edhe vendimin e autoriteteve gjermane për vendosjen e detyrimit për të vërtetuar negativitetin nga COVID-19 të udhëtarëve. Ajo tha se ky vendim vjen pas përvojës së keqe që u përjetua gjatë vjeshtës kur kryesisht turistët që ktheheshin merrnin me vete edhe infeksionin duke ndikuar në shtimin e rasteve./a.m/NOA.al