Bajram Balliu: Si të parandaloni shtatzëninë e padëshiruar

Bajram Balliu – Kontracepsioni është një tërësi masash, të cilat frenojnë shtatzëninë. Mjeku obstetër gjinekolog Bajram Balliu tregon për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare” se këto metoda mund të jenë hormonale dhe johormonale (ose metodat barrierë), që mund të përdoren nga gruaja ose nga burri.

Në vendin tonë për herë të parë kontraceptivët filluan të përdoren pas vitit 1990, kryesisht nëpërmjet qendrave të planifikimit familjar.

Metodat
1.Metoda biologjike, shmangia e kontakteve seksuale në ditët kur ndodh ovulacioni (zakonisht ditët e 12, 13, 14, 15 të ciklit në gratë me cikël të rregullt menstrual 28-30 ditor) si dhe metoda natyrale e shmangies së ejakulatit gjatë aktit seksual (coitus).
2.Ushqyerja me gji si metodë kontracepsioni
3.Metodat barrierë si prezervativët, kapat cervikale(ose prezervativët femërore), përdorimi i aparateve me bazë bakri, argjendi ose hormonale (progestagen).
4.Metodat hormonale, ku hyjnë kontraceptivët oralë, injeksionet me bazë progesterone, etj.
Metodë tjetër kontracepsioni është edhe lidhja e tubave gjatë operacionit section cesarean, ose menjëherë pas lindjes.

Metoda më e përdorshme në vendin tonë
Metoda më e përdorshme në praktikën e përditshme është përdorimi i kontraceptivëve hormonalë të kombinuar (të cilët përmbajnë dy lloje hormonesh estrogjene dhe progestative në doza të ndryshme dhe në raporte të ndryshme mes këtyre dy hormoneve). Kontraceptivët hormonalë mund të jenë me përmbajtje vetëm progesteroni, (të cilët mund të përdoren edhe gjatë ushqyerjes me gji, mini pili, depo provera etj.), me përmbajtje hormonesh estrogjene dhe progestativë (të cilët janë më të përdorshëm). Gjithashtu edhe vendosja e një aparati DIU, në mitër preferohet nga shumë gra për shkak të kohëzgjatjes së gjatë 10-vjeçare dhe efektit të lartë kontraceptiv.

Sugjerime
Zbatohet parimi i zgjedhjes së pacientes se cilën metodë kontracepsioni ajo dëshiron të përdorë. Në përgjithësi, në moshat e reja rekomandohet përdorimi i kontraceptivëve orale të kombinuar me doza të vogla estrogjenesh, ndërsa tek pacientet mbi 30 vjeç të cilat kërkojnë një metodë më të sigurt dhe më afatgjatë, rekomandohet aparati DIU, injeksionet si depo-provera etj.

Rastet kur nuk duhen përdorur
Kontraceptivët orale të kombinuar (KOK), fatkeqësisht përdoren pa u konsultuar më parë nga një mjek obstetër-gjinekolog ose nga punonjës të specializuar të qendrave të planifikimit familjar, infermierë apo mjekë të përgjithshëm, por mund të sugjerohen nga farmacistë, nga njerëz të tjerë që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të dhënë këshilla të vlefshme. Absolutisht KOK-et, nuk duhet t’ju rekomandohen pacienteve me tromboemboli, me tumore që prodhojnë hormone, me sëmundje të rënda të mëlçisë, veshkave, të trurit, infarkt myokardi, apo ato me hiperlipidemi. Kundërindikacionet relative janë: trombozë në anamnezë, kolestazë, hipertension, diabet i sheqerit, epilepsi, mish i huaj në mitër, sëmundje kronike e veshkave etj.

Përfitimet mjekësore të përdorimit të KOK-eve
Disa nga përfitimet mjekësore të përdorimit të KOK-eve janë: rregullimi i ciklit menstrual, humbja e një sasie më të vogël gjaku menstrual, efekt i sigurt kontraceptiv. Gjatë përdorimit të KOK-eve nuk formohen kistet e vezoreve, për shkak të trashjes së mukusit cervical e infeksionet gjinekologjike janë më të rralla. Pra, kontraceptivët përdoren edhe për efekte mjekuese jo vetëm contraceptive.

Kontracepsioni i urgjencës
Metodat të cilat përdoren për të shmangur një shtatzëni të padëshiruar pas një akti seksual të pambrojtur dhe të paplanifikuar janë: vendosja e një DIU-je menjëherë, përdorimi i spermicideve menjëherë pas coitusit dhe metoda hormonale me kokrra. Më e përdorshmja është metoda e kokrrave, të cilat mund të blihen në farmaci me emrin postinor. Pihet tableta e parë menjëherë dhe pas 12 orësh pihet tableta e dytë. Kokrrat postinor përdoren brenda një afati 72 orësh pas një akti seksual të pambrojtur. Japin efekte të shumta anësore si ç’rregullime të cikleve menstruale me rritje të sasisë së fluksit menstrual dhe kohëzgjatjes së ciklit. Ndërkohë, metoda barrierë, vendosja e aparatit DIU, bëhet nga një mjek obstetër-gjinekolog, menjëherë pas ciklit menstrual. Në vendin tonë më e përdorshmja është DIU-ja me përmbajtje bakri, e cila siguron mbrojtje nga shtatzënia në 95-99% të rasteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *