Fillimisht u largua nga Shqipëria, më pas nga jeta publike e prej dy vitesh nga rrjetet sociale: Jeta e Anjeza Shahinit ka marrë një rrjedhë komplet tjetër nga ajo që shumë shqiptarë mund të kenë menduar vite më parë kur ishte një nga zërat më premtues të muzikës shqiptare. Pas disa vitesh ajo është rikthyer në një intervistë me Mira Kazhanin në podkastin “Zë me Mirën” ku ka folur rreth jetës së saj në Angli, bashkëshortit, vajzës e jo vetëm.
Mira Kazhani: Anjeza, nga t`ia fillojmë?
Anjeza Shahini: Nga të duash ti. Mirë se të gjeta!
Mira Kazhani: Mirë se erdhe!
Anjeza Shahini: Faleminderit!
Mira Kazhani: Çfarë ndjesie ke kur vjen në Tiranë?
Anjeza Shahini: Këtë herë e kam pasur shumë të fortë ndjesinë se u bënë gati 5 vjet që nuk e kam shkelur Tiranën, duke pasur parasysh kohën e Covidit, shtatzëninë, Torin, shumë gjëra. Nuk e kisha menduar kurrë që do të rrija kaq gjatë pa ardhur dhe kur kam ardhur kam pasur shumë emocion. Gjatë gjithë rrugës që kam ardhur, edhe këtu, shikoja gjithçka.
Mira Kazhani: Çfarë të bëri më shumë përshtypje?
Anjeza Shahini: Ka ndryshime shumë.
Mira Kazhani: Çfarë ndodhi që ike nga Instagrami? Rikthimi yt në Instagram më kujtoi dhe mua për ty. Ne jemi edhe ajo ç`ka postojmë në Instagram, për fat të mirë apo të keq.
Anjeza Shahini: Po, të shoh me sy, më bie mendja për ty (qesh). Unë në fakt u shkëputa nga Instagrami në periudhën që sapo nisi Covidi, në ato fillimet e veta të kohës së Covidit pa e menduar se çfarë do të ndodhte në gjatësi. Mendova do marr një kohë për vete, sepse në atë periudhë Tori, vajza ime, nuk mund të shkonte dot në çerdhe siç e kishim planifikuar. Shumë mendime që unë kisha pasur, që do të bëja në atë kohë, duhet të rimendoheshin dhe kështu, e para gjë, prioriteti im ishte Tori. Thashë do marr një kohë të shkurtër të merrem me të, pastaj nuk kam mendje për momentin të jem sepse Instagrami është bërë punë më vete tani. Punë 8-orarëshe.
Mira Kazhani: Kur u riktheve në Instagram, e gjete edhe veten peshk për disa portale në Shqipëri. U përhap një lajm. Kishin studiuar fotot e Instagramit tënd. U futa dhe unë i pashë pastaj. Nuk do të kishte shkuar kurrë mendja se ai Instagram është një lloj parathënie për një ndryshim në jetën tënde familjare. Dikush -nuk e di kush e nxori i pari, se asnjëherë nuk merret vesh – aludoi se ti mund të ishe divorcuar.
Anjeza Shahini: Po.
Mira Kazhani: Ti e përgënjeshtrove menjëherë lajmin.
Anjeza Shahini: Po.
Mira Kazhani: Të erdhi hidhur? U mërzite?
Anjeza Shahini: Po sigurisht. Ishte një lajm budalla (qesh) në gjithë kuptimin e vet se si u krijua dhe pastaj si u shpërnda. Burimi ishte djallëzues. Nuk më pëlqeu në formën sesi nisi. Një njeri që shkon dhe të gërmon nëpër foto për mendimin tim është një mendje djallëzore. Nuk është më një mendje intervistuesi apo gazetarie.
Mira Kazhani: Ti mendove që pas këtij lajmi është një gazetar që po kërkon thjesht klikime apo mund të ishte edhe dikush që kishte një inat me ty.
Anjeza Shahini: Absolutisht po.
Mira Kazhani: Të shkon mendja tek një njeri?
Anjeza Shahini: Jo, nuk e di.
Mira Kazhani: Kush do donte të të mërziste ty kaq shumë?
Anjeza Shahini: Nuk e di. Me siguri ka dashur të më mërzisë, sepse një gazetar, nëqoftëse e mban veten për gazetar, bën investigimin e duhur, nuk bëhet investigimi në Instagram.
Mira Kazhani: Çfarë tha Paul, bashkëshorti yt?
Anjeza Shahini: Paul qeshi dhe tha: A të shkoj tani në pub?
Mira Kazhani: Çfarë i the ti? Shko.
Anjeza Shahini: Jo, harroje (qesh).
Mira Kazhani: Je xheloze ti?
Anjeza Shahini: Jo, nuk jam xheloze fare. Nuk e kemi fare këtë pjesë.
Mira Kazhani: Posesive?
Anjeza Shahini: Jo, nuk e njohim as posesivitetin, as xhelozinë. Thjesht unë jam shumë e kujdesshme përsa i përket shëndetit dhe jam kështu: Nuk dua të shkosh të pish birrë, e gjëra të tilla.
Mira Kazhani: U bënë 10 vite me Paul?
Anjeza Shahini: Me Paul janë bërë më shumë. Po martesë ka që në vitin 2015.
Mira Kazhani: Kur kalon koha, si është marrëdhënia me dikë?
Anjeza Shahini: Unë mendoj që merr faza të ndryshme. Sigurisht që shkon në një fazë kur ti je më e qetë. Nëqoftëse më parë kisha ato fluturat në bark dhe kisha merak çfarë do më thoshte në mesazh, tani këto gjëra nuk ekzistojnë. Po janë ato gjërat e tjera që për mendimin tim historia bëhet më e bukur. Gati-gati e sheh veten një. E sheh veten të pandarë. Kjo për mua është një dashuri edhe më e bukur.
Mira Kazhani: Me Paul do ishte rimartuar edhe në një jetë tjetër ti?
Anjeza Shahini: Po, por me një dasmë më të madhe kësaj radhe (qesh).
Mira Kazhani: Ti more një vendim të fortë, që në përgjithësi e marrin vajzat. Në emër të dashurisë dhe të familjes janë në gjendje të sakrifikojnë edhe karrierën e tyre. Ti ishe në kulmin tënd kur gjete Paul dhe re në dashuri me të. Ikët të dy bashkë në Angli. Ikja jote nga Shqipëria dhe në njëfarë forme mbyllja e derës së muzikës apo të Instagramit më vonë, në emër të familjes, është një gjë shumë humane dhe e mrekullueshme. Po nga ana tjetër, nuk është edhe e lehtë të jesh një talent si ti, me zërin tënd, që kur hapje ti gojën, sikur ishte një gjë që të bënte përshtypje… e ke patur të veçantë gjithmonë këtë. Pyetja që më vjen natyrshëm është: A nuk mund të jetojnë të dyja bashkë, edhe karriera, edhe familja?
Anjeza Shahini: Sigurisht që po. Unë jam një mbështetëse shumë e fortë e kësaj pjese. Paul është një nga ata që është edhe shumë më i fortë se unë tek kjo pjesë. Shumë njerëz ndoshta edhe e kanë keqkuptuar. Kanë menduar që tashmë është martuar dhe ndoshta Paul nuk është shumë Pro, sepse ai nuk është pjesë e kësaj bote. Po përkundrazi, ai është edhe më shumë sesa unë./Marrë me shkurtime nga Tirana Post