Një i ri në kryeqytet që menaxhon biznesin e të atit, nuk është nxehur nga dëmi ekonomik që iu shkaktua nga një klient, por nga kurajo e klientit për ta mashtruar dhe për ta tallur. Për këtë arsye, ai ka vendosur ta bëjë një kauzë për policinë duke u kërkuar atyre ta gjejnë qytetarin, i cili fjeti disa net në hotelin e tij dhe më pas ia mbathi.
“Quhem E. N. dhe jam i punësuar si recepsionist në hotelin e babait që ia menaxhoj unë”, e nis rrëfimin e tij pranë komisariatit numër një djali i moshës 29 vjeç.Në datën 17 prill 2021 në hotel u paraqit një shtetas amerikan, që u regjistrua me letërnjoftim me emrin J. E.” Por ky dokument dhe të dhënat personale me të cilat ai u prezantua rezultoi më pas se ishin false. Edhe numri i tij i telefonit rezulton i padisponueshëm. Por për ta provuar këtë përfundim, agjentëve u është dashur të gjurmojnë në kamerat e sigurisë mjetin me të cilin ai qarkulloi e më pas të shkojë në zyrat e kompanisë, ku makina u mor me qira, raporton gazeta Si.
Sipas policisë nga veprimet e paraprake hetimore dhe verifikuese rezulton se shtetasi i huaj qëndroi në hotelin që gjendet në “Rrugën e Elbasanit” për një javë. Madje duket se amerikani është privilegjuar për shkak të shtetësisë së huaj dhe i janë bërë lëshime edhe në çmim.
“Klienti ra dakord që të paguajë shumën prej 20 euro nata me një total prej 130 euro së bashku me disa shërbime të tjera që i ka përfituar gjatë qëndrimit në hotel”, thotë 29-vjeçari për Policinë e Tiranës.
Deri ditën e largimit klienti është shfaqur dhe është dukur si çdo person tjetër që frekuenton një hotel.
“Më pas, ky person tha se do të largohej dhe më kërkoi që t’i ngarkoja valixhet në automjet dhe se do të kthehej për të bërë pagesën, por ai nuk u kthye”.
Nga të dhënat e policisë rezulton se shtetasi i huaj u paraqit në hotel dhe u largua nga hoteli me të njëjtin automjet, të llojit Dacia. Mbasi është realizuar identifikimi i targave të automjetit ka rezultuar se makina ishte marrë me qira në një kompani që ka selinë në ish-Bllok.
“Nga ana jonë, – thuhet në dosjen e policisë – është komunikuar me përfaqësues të kompanisë në fjalë dhe ata na kanë vendosur në dispozicion një fotokopje të pasaportës të këtij shtetasi ku rezultoi se ai nuk quhej si është prezantuar në hotel, por që emri i tij i vërtetë është J. U. Hankin, nga Ohaio. Policia insiston për gazetën Si se po kryhen edhe disa veprime të tjera për të kuptuar nëse ky shtetas ka dalë apo jo nga Shqipëria dhe më pas pritet ta referojë për hetime për mashtrim.