Dalila Di Lazzaro, aktorja italiane e njohur në Shqipëri sidomos për rolin e Marta Montinit në serialin e famshëm “Përgjithmonë Xhulia”, tregoi në një intervistë televizive kalvarin e gjatë të përjetuar prej saj. “Kam qëndruar në shtrat për 11 vjet. Nuk jam ngritur as për të larë veten. Edhe ushqimin e kam ngrënë shtrirë”: ky ishte rrëfimi i trishtë i aktores për Mara Venier në puntatën e fundit të “Domenica In”, ku foli për traumën e pësuar pas një aksidenti dhe dhimbjen kronike me të cilën iu desh të luftonte dhe ende lufton.
“25 vite më parë, loja për mua u mbyll. Mjekët nuk më besuan. Nuk e di pse, por nuk më besuan dhe kjo është një gjë shumë e rëndë sepse në atë kohë nuk flitej shumë për dhimbjet kronike, dhe kjo është një gjë e tmerrshme. Nuk më bënë një radiografi sic duhet, duke nisur që nga goja. Vazhduan të më bënin radiografi nga qafa e poshtë, pa e diktuar të gjithë dëmtimin…”.
Aksidenti i përmendur nga Dalila Di Lazzaro, aktore dhe modele e cila u bë një ikonë bukurie në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, ka ndodhur një cerek shekulli më parë. Aktorja ishte me motoçikletë dhe për shkak të një grope në një rrugë të Romës, bëri një rënie të keqe që i shkaktoi disa fraktura dhe dhimbje kronike, të cilat ende nuk i ka mposhtur dot.
Beteja e saj ende nuk ka përfunduar. “Fatkeqësisht nuk ka mbaruar. Do të doja të mos kisha keqardhjen e njerëzve. Jam luftarake, e fortë, dua të ndihmoj mijëra njerëz që po luftojnë me dhimbjet kronike. Me forcën time do të doja ta çoja përpara këtë problem”, tha Dalila duke falënderuar prezantuesen që i dha mundësinë të tregojë përvojën e vet të hidhur dhe të përcjellë apelin e saj.