Afshet e nxehta në menopauzë janë ndjesi të papritura të rritjes së temperaturës së trupit. Janë një simptomë e shpeshtë e grave që po përjetojnë këtë fazë të jetës. Është një manifestim i bezdisshëm që në disa raste zgjat edhe për vite të tëra.
Ato ndodhin më shpesh gjatë natës duke shkaktuar djersitje dhe prishje të cilësisë së gjumit. Kur ato manifestohen në formë të rëndë, kërkojnë trajtime specifike.
Afshet e nxehta janë argumenti kryesor në vizitat mjekësore gjatë kësaj faze. Gratë përjetojnë një nxehtësi të papritur që fillon në fytyrë dhe drejt gjoksit e më pas hapet në gjithë trupin. Zakonisht zgjasin tre deri në katër minuta. Disa gra përjetojnë edhe rrahje të forta zemre dhe një ndjenjë të fortë ankthi gjatë afsheve. Në përgjithësi ato ndodhin një ose dy herë në ditë, por mund të përsëriten edhe më shpesh.
Afshet ndodhin për shkak të ndryshimeve hormonale që ndodhin gjatë kësaj faze. Sipas një vlerësimi, 80% e grave përjeton afshe gjatë menopauzës.
Si menaxhohen ato?
Trajtimi mjekësor për menaxhimin e afsheve të nxehtësisë në menopauzë bazohet në medikamentet farmaceutike. Në disa raste, rekomandohet një terapi hormonale që konsiston në marrjen e estrogjenit. Një trajtim i tillë përfshin edhe risqe, prandaj situata duhet vlerësuar nga mjeku. Në çdo rast, kjo terapi nuk duhet t’i kalojë dy vite.
Në raste të tjera jepet një terapi antidepresive me doza të ulëta. Por kjo terapi nuk është shumë efikase për të trajtuar episodet më të rënda në kundërshtim nga terapia hormonale. Në disa raste, për të qetësuar simptomat mund të jepen edhe antikonvulsivantë.
Megjithatë, jo gjithmonë këto afshe duhen trajtuar nga ana mjekësore. Në pjesën më të madhe të rasteve, trajtohen nga vetë gratë. Rekomandohet t’i nënshtroheni një regjimi ushqimor të shëndetshëm duke evituar ushqimet shumë të përpunuara ose pikante. Duhet të evitoni kafenë dhe alkoolin si dhe ushqimet shumë të yndyrshme. Nëse jeni mbi peshë, duhet të humbisni kilogramët e tepërt. Duhani gjithashtu nuk këshillohet.
Duhet gjithashtu të vishni veshje të lehta, të realizuara nga fibra natyrale dhe të qëndroni në ambiente të ajrosura mirë. Mund të aplikoni edhe teknikat e relaksimit si yoga ose TaiChi, në të cilat stresi është një faktor determinues në rritjen e episodeve të nxehtësisë.