Në mbledhjen e sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve është folur edhe lidhur me hepatitin akut që është shfaqur te fëmijët në disa vende të botës.
E pyetur nga gazetarët lidhur me prezencën ose jo të këtij virusi në Shqipëri, Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino tha se deri më tani nuk ka raste të zbuluara në vendin tonë.
“Ne kemi marr njoftimin për hepatitin, nuk kemi të dhëna në vendin tonë, natyrisht rastet më të shumta janë në MB dhe SHBA. Kemi ngritur vëmendjen, kemi ngritur alertin. Deri tani asnjë shenjë shqetësuese. ISHP është në gjendje të bëjë identifikimin e adenovirusit”, tha ajo.
Ndërkohë sa u përket shenjave të këtij virusi për të cilat prindërit duhet të shqetësohen, Bino tha:
“Shenjat lidhen me traktin tretës, të vjella, diarre, këputje dhe zverdhje të lëkurës. Nëse ka turbullira të traktit tretës dhe nuk qetësohen, të drejtohen te mjeku i familjes për të mos na shpëtuar ndonjë rast dhe për të dhënë ndihmën e nevojshme. Kemi vënë re çrregullim të mëlçisë në kuadër të Covid, por të gjitha rastet janë trajtuar. Jemi vigjilent”.