Ai është 5 vjeç dhe quhet Dionis Senjo, por mund ta thërrisni “gjeni” sepse ky vogëlush nga Tirana është shpallur i tillë nga shoqata botërore e gjenive “Mensa International”. Dionisi, i biri i një çifti onkologësh i është nënshtruar testit të inteligjencës në prani të një psikologu, që rezultoi mbi percentilin 99.9, më i rrallë se 0.1 përqind e popullsisë. Inteligjenca e tij thuhet se është e të njëjtit spektër me atë të fizikantit Albert Ajnshtajn.
Sipas prindërve të Dionisit, gjithçka nisi kur ai ishte 1 vjeç , kohë kur mësoi numrat dhe shkronjat si në shqip, ashtu edhe në anglisht. Brenda disa muajve dinte të lexonte rrjedhshëm në të dy gjuhët. Pasi mbushi 2 vjeç, brenda javës mësoi të numëronte në greqisht deri në një bilion dhe mësoi të gjithë alfabetin grek brenda një pasditeje. Sot Dionisi ka lexuar më shumë se 700 libra e madje ka shkruar edhe vetë një libër për sistemin diellor, që do të publikohet së shpejti. Ai di të kryejë veprime matematikore si mbledhje dhe zbritje me numra të mëdhenj dhe ndonëse prindërit ia kanë ndaluar të mësojë shumëzimin që tani, rrëfejnë se ai di ta bëjë një gjë të tillë por sipas metodës së tij./