146 milionë euro do të financojë Bashkimi Europian përmes programit IPARD III, për bujqësinë në Shqipëri.
Në prezantimin e programit ka marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se janë 437 projekte përfituese falë BE-së dhe financimit nga qeveria.
Rama tha se faktet tregojnë që pavarësisht krizës dhe pasojave të luftës, eksporti i produkteve buqjqësore është rritur, krahasuar me një vit më parë.
“Sot Shqipëria, me gjithë krizën e përbotshme, dhe me gjithë pasojat e luftës, ka rritje të eksportit krahasuar me të njëjtën periudhë që nuk kishte luftë. Sot raporti është 1 me 3 që do të thotë importon më pak, eksporton më shumë. Por sigurisht sado që të flasim dhe t’i vëmë përballë faktet atyre që flasin, ajo që ka rëndësi është të tërheqim sa më shumë njerëz në këtë rrjet fantastik njerëzish.
Na takon ne që këto fonde, plus që kemi siguruar, t’i vëmë në punë. Kur vjen puna te puna, dhe te partia e punës, jemi për të vlerësuar të gjithë ata që parti të tyre kanë punën dhe vetëm punën, dhe kur mbarojnë punën shesin dhe domatet, dhe shkojnë votojnë një herë në katër vjet. Puna e tyre.
BE e akreditoi agjencinë. Po t’i bashkojmë fondet e dhëna nga buxheti dhe BE, është financimi më i madh që është bërë ndonjëherë. Mbase keni humbur, ju është kthyer projekti mbrapsht, por ja ku jeni këtu, dhe do të bashkoheni. Nuk ka rëndësi sa të madhe e keni ngastrën, rëndësi ka me kë bashkoheni. Siç thotë i madhi Dhimo Kote, e rëndësishmja është të shesim bashkë, jo veç e veç. Këtu ka vepra, nuk janë 3D, 437 projekte kemi bërë, mund të bëjmë edhe 1000 të tjera”, u shpreh Rama.