Maria Branias Morera i mbijetoi dy luftërave botërore, një lufte civile, dy pandemive dhe në moshën 115-vjeçare mban titullin si personi më i vjetër në botë nga Rekordet Botërore Guinness.
Morera e merr titullin pas vdekjes së murgeshës franceze Andre, e cila u nda nga jeta pak ditë më parë në moshën 118-vjeçare.
Për 22 vitet e fundit, Morera ka jetuar në një shtëpi pleqsh në Katalonjë, por ka lindur në San Francisko, SHBA.
Ajo u bë e famshme kur i mbijetoi koronavirusit në maj 2020, kur Spanja po përjetonte një nga shpërthimet më të këqija të pandemisë, përpara se vaksinat të ishin në dispozicion.
“Rendi, qetësia, një marrëdhënie e mirë me familjen dhe miqtë, kontakti me natyrën, stabiliteti emocional, pa shqetësime, pa keqardhje, shumë pozitivitet dhe qëndrim larg njerëzve toksikë” janë sipas Morerës sekreti i jetëgjatësisë së saj.
“Unë mendoj se jetëgjatësia është gjithashtu për të qenë me fat,” shtoi ajo. “Fat dhe ADN e mirë.”
María Brianas Morera lindi në San Francisko më 4 mars 1907, një vit pasi prindërit e saj u shpërngulën nga Spanja në Shtetet e Bashkuara. Familja e saj u kthye në Spanjë tetë vjet më vonë dhe u vendos në Kataloni. Që atëherë Morera ka përjetuar gëzime të mëdha por edhe pikëllime të mëdha.
Babai i saj vdiq nga tuberkulozi kur ishte në një udhëtim nga SHBA në Spanjë. Rruga ishte e gjatë sepse lufta e parë botërore e bëri të rrezikshëm kalimin nëpër detet skandinave, kështu që anija duhej të kalonte nëpër Kubë dhe Azores, kujton Morera.
Në vitin 1918, pandemia e gripit spanjoll filloi të përfshijë botën. Më pas, kur ajo ishte 29 vjeç, shpërtheu Lufta Civile në Spanjë, duke e lënë atë me “kujtime shumë të këqija”. Lufta e Dytë Botërore pasoi pas kësaj.
Morera krijoi një familje me një mjek katalanas, me të cilin ka tre fëmijë, 11 nipër e mbesa dhe 13 stërnipër, sipas Guardian.
Morera ka përqafuar avancimin e teknologjisë, veçanërisht duke dashur mediat sociale dhe komunikimet dixhitale. Ajo komunikon përmes Twitter për të mbajtur kontakte me të dashurit.
Shtëpia e të moshuarve ku ajo po qëndron, Residència Santa María del Tura, tha në një deklaratë se do të organizonte një “festë” për ta njohur atë si personin më të vjetër të gjallë në botë. “Ajo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe vazhdon të jetë e befasuar dhe mirënjohëse për vëmendjen që ka marrë”, thanë zyrtarët.