Rrëfimi i 43-vjeçares nga Tirana: Prej 5 muajsh nuk kam shije dhe nuhatja

TIRANË, 28 MAJ 2021, NOA – Alma është banore e Tiranës dhe punon në një institucion jopublik. Ajo tregon se u infektua në muajin janar 2021 me koronavirus, bashkë me të shoqin dhe fëmijët.

Për të paktën dy javë, Alma L., thotë se ka përjetuar ecurinë e sëmundjes, dy herë më shumë bashkëshorti dhe vetëm disa ditë fëmijët e tyre të mitur.

Ndonëse konsiderohet e shëruar, ajo rrëfen në bisedë me noa.al se ende nuk i janë kthyer as shija dhe as nuhatja.

“Po bëhen 5 muaj që nuk më janë kthyer as shija dhe as nuhatja. Është diçka shumë e sikletshme. Ka plot disavantazhe. Unë jam grua, jam amvisë, por edhe shijoj ushqimin. Ndaj fakti që ende nuk më janë kthyer nuhatja dhe shija më ka ndryshuar jetën”, pohon ajo.

E pyetur nëse ka një rikthim qoftë dhe të vogël të shijes dhe nuhatjes, ajo thotë: “Krahasuar me ditët e janarit, kam pak javë që ndjej pak shije, por fare pak. Sërish ha pa shijuar ushqimet në shtëpi apo restorant, përveçse kur janë shije shumë të rënda si, shumë e ëmbël apo shumë djegëse. Sa për nuhatjen, atë nuk e kam fare deri dhe duke provuar të nuhas në zbrazjen e një shisheje me parfum”, thotë nëna e dy fëmijëve. Ajo thotë se ka bërë këto kohë edhe plot prova të tjera me synimin që të stimulojë rikthimin e nuhatjes.

Gruaja 43 vjeçare vë në dukje se ka bërë vazhdimisht analiza dhe kontrolle të tjera shëndetësore, por edhe mjekët ngrenë duart përpjetë, duke pranuar se nuk kanë asnjë ide se kur mund të ndodhë kthimi i plotë i shijes dhe nuhatjes.

Noa kontaktoi me mjeken e familjes në Poliklinika nr 9 në Tiranë, Zoje Kurti, për të kuptuar se çfarë ndodh me personat që preken nga dukuria e humbjes së shijes dhe nuhatjes. Zonja Kurti thotë se këto dukuri nuk janë pasoja ekskluzivisht të koronavirusit të ri Sars-Cov-2, por shfaqen edhe në sëmundje të tjera, si sinoziti kronik, etj.

E pyetur a ka raste të tilla të pacientëve që vonojnë tu rikthehem shija dhe nuhatja, apo njëra prej tyre, Dr. Kurti thotë se në pozicionin e mjekut të familjes ajo referon raste të tilla tek mjekët ORL, me qëllim ndjekjen e mëtejshme të anosmisë (humbja e nuhatjes).

Duke u ndalur te rasti konkret i 43 vjeçares nga Tirana që pohon se prej afro pesë muajsh nuk po i rikthehen shija dhe nuhatja, mjekja thotë se për vetë faktin se kjo është një sëmundje e re, nuk ka një të dhënë të saktë se kur mund të ndodhë normalizimi. /noa.al