Home LAJME Nusja shtyu të fejuarin të therte prindërit: Vjehrra nuk më donte se...

Nusja shtyu të fejuarin të therte prindërit: Vjehrra nuk më donte se jam nga Puka!

105
0

Krimi në familje trondit Durrësin. Një 25-vjeçar me origjinë nga Dibra ka masakruar me thikë prindërit e tij të moshuar.

Bëhet fjalë për 75-vjeçarin Destan Neziri dhe 64-vjeçaren Hasije Neziri, të cilët kanë përfunduar në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit bregdetar.

Mësohet se bashkëshortët Neziri kanë marrë plagë të shumta dhe ndodhen në reanimacion nën kujdesin e mjekëve. Vetëm një orë më pas, autori i krimit Hajri Neziri është arrestuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qa-rkut të Durrësit bënë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:45 të ditës së djeshme në lagjen nr. 17 (në zonën e ish-Kënetës) të këtij qyteti.

Menjëherë pas sinjalizimit për plagosjen e dy personave, policia ka shkuar në banesën trekatëshe të familjes Neziri dhe ka nisur hetimin për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë, fqinjët e kësaj familjeje deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se kanë parë tmerr me sy dhe se banesa e çiftit Neziri si dhe rrugica janë larë me gjak. Gjithashtu, fqinjët u shprehën se kanë dëgjuar ulërimat dhe thirrjet e dy të moshuarve, të cilët kishin dalë zvarrë nga banesa e tyre dhe kërkonin ndihmë.

Pas arrestimit në Tiranë, 25-vjeçari Hajri Neziri është dërguar në komisariatin e Durrësit ku është marrë në pyetje. Burime nga grupi hetimor thanë për “Gazeta Shqiptare” se i riu ka dhënë shumë pak të dhëna për ngjarjen e rëndë dhe ka shfaqur shenja depresioni. Ndërkaq, është marrë në pyetje dhe bashkëjetuesja e tij, e cila ka rrëfyer se si u plagosën vjehrra dhe vjehrri i saj.

“Po shikonim të katërt ndeshjen e radhës së kampionatit botëror. Ishim të qetë, nuk kishim sherre dhe asgjë. Vjehrra ime që është një grua e sertë nisi të debatojë me të fejuarin tim, duke i thënë se nuk punon, se të dy ishim të papunë. Ishte sherr i çastit. Unë u dashurova me djalin e saj, por ajo nuk me donte pasi unë jam nga Puka.

Në sherr e sipër, Hajriu u përlesh me të ëmën dhe e goditi disa herë me thikë. Pastaj ndërhyri vjehrri që t’i ndante, por i fejuari im e goditi dhe atë me thikë”,- është shprehur e reja. Ndërkaq, ajo ka sqaruar se: “unë ndërhyra që t’i ndaja. Nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi, por pashë se shtëpia u bë gjithë gjak. Dhe unë u bëra me gjak në krah dhe në fustan. Pastaj ikëm nga shtëpia se ishim terrorizuar. Të fejuarit tim i rridhte gjak nga dora, ndaj shkuam në Spitalin e Traumës në Tiranë. Shkaku i gjithë asaj që ndodhi ishte vjehrra ime”.

Ndërkaq, policia ka marrë në pyetje dhe 75-vjeçarin Destan Neziri. Ky i fundit ka deklaruar se: “Ndërhyra për të shpëtuar gruan nga djali”. Nga ana tjetër, i moshuari u ka thënë mjekëve të spitalit të Durrësit: “Aman, më shpëtoni gruan që e goditi im bir”!