Home LAJME Ligji i ri për emigrantët që po i ‘çmend’ europianët, ja propozimet...

Ligji i ri për emigrantët që po i ‘çmend’ europianët, ja propozimet e deputetit

140
0

Një ligj i ri i propozuar në Francë për emigrantet ka sjellë reagime të shumta nga qytetarët. Deputeti Aurelin Tache, i cili vjen nga partia e Manuel Makron, ka propozuar që emigrantëve t’u mësohet frëngjisht sapo regjistrojnë dosjen.

Dhe mbi të gjitha, të kenë mundësi të punojnë në Francë 6 muaj pasi kanë regjistruar dosjen dhe nuk kanë marrë një përgjigje negative nga autoritetet franceze.

Elda Spaho Bleta

Një revolucion i vogël. Dhe më në fund, ndoshta një frymë njerëzore brenda ligjit për azilin dhe emigrimin që do propozohet nesër nga qeveria në parlamentin Francez. Kështu e kanë përmbledhur shumë media raportin dhe propozimet që Aurélien Taché, deputeti i ri makronist, i dorëzoi dje mbasdite vonë presidentit dhe kryeministrit. Ishte vetë Eduard Felipe që ia kishte ngarkuar këtë detyrë të riut 33-vjeçar, në mënyrë që ai të sillte një raport sa më të plotë, me propozime praktike për një integrim më të mirë të emigrantëve në Francë si pjesë e ligjit “Azili dhe Emigracioni”.

Taché ka punua fort këto 6 muaj, por për këtë nuk është folur shumë në shtypin francez. Ndoshta ka qenë një lëvizje e vetë kabinetit qeveritar që propozimet e ish-socialistit të bëheshin të ditura për publikun dhe të dorëzoheshin zyrtarisht vetëm një ditë e gjysmë para se ligji t’i paraqitet parlamentit? Në një kohë kur ligji i propozuar nga qeveria, gjithnjë me figurën e ftohtë të ministrit të brendshëm Gerard Collomb mori gjithë vëmendjen e duhur fill në krye të vitit 2018 dhe përndezi jo thjesht opinionin publik, organizatat e të drejtave të njeriut, por edhe vetë shumicën qeverisëse që gjithnjë e më shumë po e braktis atë? Ndoshta një strategji testimi se si do t’i priste Franca propozimet e habitshme të qeverisë për të lejuar praktikisht oficerët e emigracionit të futen brenda qendrave të strehimit dhe hoteleve tëe emigrantëve për të kontrolluar lejet e qëndrimit? Diçka që nuk ndodh në Francë.

Nnuk dihet me siguri pse u prit kaq vonë që 72 pikat e djeshme të bëheshin të ditura. Ajo që dihet me siguri është që ato balancojnë shumë nga propozimet e hartuara ftohtësisht deri tani nga Collomb e të tjerë dhe kanë paqtuar shumë gjëra brenda disa orëve. Ah, edhe diçka tjetër dihet me shumë siguri: nesër, në 21 shkurt, parlamenti francez do të ketë tone jashtëzakonisht të larta.

Dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe pasi emigracioni ishte një pikë kritike për të gjithë kandidatët e zgjedhjeve të 2016. Dhe ngaqë Emanuel Macron, pasi hyri në Champs-Elysees, u largua shumë nga ajo që kishte thënë e premtuar gjatë fushatës. “Emigrantët janë një pasuri e madhe….ata janë heronj” etj, etj, ishin vetëm disa nga deklaratat e tij më të njohura në prill 2016. Deklarata që bindën shumë njerëz se ai kishte një anë të fortë njerëzore e që shkaktuan goxha simpati. Eshtë e kotë të përmbledhim sa larg kësaj janë veprimet e tij të vërteta, sidomos gjatë muajve të fundit. Një pjesë e madhe e vetë La Republique en Marche, forcës politike që ai drejton, kanë kundërshtuar hapur masat që Macron ka përkrahur ndaj emigrantëve, pasi erdhi në pushtet.

Një ditë e gjysmë para se të propozohet në parlament, Aurélien Taché solli pjesën e vet në lidhje me politikën e re të emigrimit dhe ia dorëzoi kabinetit qeveritar dhe vetë Macronit, në qytetin e Lionit. Kryeministri Felipe ka deklaruar ndërkaq që do të pranojë propozimet themelore të këtyrë propozimeve duke shkaktuar një frymëmarrje më të qetë që emigrantëve që jetojnë në Francë. Gjithsesi duhet pritur deri nesër për të parë se çfarë ka pranuar ai me të vërtetë.

Po cilat janë pikat kryesore të Taché?

Ai ka propozuar që pritja dhe integrimi i emigrantëve në Francë të jetë më praktik, më gjithëpërfshirës dhe me një filozofi më përkrahëse dhe njerëzore. Për të mirën jo thjesht të emigrantëve, por së pari të vetë Francës. Mësim i gjuhës franceze, njohuri të kulturës së vendit, mundësi punësimi. Sipas tij, pasi vijnë në Francë, emigrantët nuk priten në një mënyrë proaktive që synon t’i njohë ata, t’i nxisë të japin dhe të marrin më të mirën. Përkundrazi, përpos afateve të gjata për të rregjistruar kërkesën për azil, ata lihen në pasivitet të plotë. Shpesh nuk iu ofrohet as strehim bazik. Por edhe nëse u ofrohet, ata nuk kanë mundësi të punojnë ose nuk shtyhen të bëjnë punë vullnetare që më vonë mund t’u numërohet si një plus në procesin e dhënies së dokumenteve. Sipas gjetjeve të raportit, Franca i pret këta njerëz pa treguar as interesin më të vogël për t’i njohur ata. Për të njohur kapacitetet e tyre, projektet, edukimin që kanë pasur. Duke i zhvlerësuar si qenie njërëzore. Mësimi i gjuhës franceze nis zyrtarisht vetëm pasi iu është pranuar kërkesa për azil, por edhe në këtë rast u jepen vetëm 200 orë, aq sa shumica nuk arrijnë nivelin minimal që duhet “për të mbijetuar” në komunikim. Franca është shumë larg 600 orëve që u jep emigrantëve Gjermania apo vendet e tjera fqinje. Dhe, për më tepër, frëngjishtja është një gjuhë goxha e vështirë. Ndërkaq ndërsa presin dokumentet, procedurë që zgjat e pakta 8-9 muaj, shteti francez, sipas deputetit te LRM-së, nuk bën asgjë që t’u mësojë gjuhën emigrantëve, çka e shton edhe më shumë vështrësinë që një emigrant vërtet të integrohet në Francë. Aktualisht vetëm disa organizata jofitimprurëse ose kisha u mësojnë frëngjisht të huajve, përmes punës vullnetarëve të njerëzve të ndryshëm.

Ky zhvlerësim, bashkë me refuzimin e shpeshtë të dokumenteve, i shtohet një spiraleje dëshpërimi dhe pasitiviteti që i kaplon shumë shpejt emigrantët. Për këtë arsye,Tache ka propozuar që emigrantëve t’u mësohet frëngjisht sapo rregjistrojnë dosjen. Dhe mbi të gjitha, të kenë mundësi të punojnë në Francë 6 muaj pasi kanë rregjistruar dosjen dhe nuk kanë marrë një përgjigje negative nga autoritetet franceze. Kufiri i tanishëm është 9 muaj, një afat kohor gjatë të cilit shumica dërrmuese e dosjeve mund të mbyllen me një “jo” të sigurt, pasi procedurat janë shkurtuar aq sa, sipas vetë OFPRA (Zyra Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve) dhe CNDA (Gjykata Kombëtare e të Drejtës për Azil), nuk kanë ku të venë më. Dy unione të OFPRA dhe CNDA kanë bërë thirrje për protesta nesër, ndërsa ligji do diskutohet në parlament. Ata mendojnë që propozimi i qeverisë është shumë larg traditës pritëse të të huajve në Francë. Ndërkaq, CNDA u hodh në një grevë vetëm disa ditë më parë, në 13 shkurt. “Që nga vitit 2015, afatet gjatë të cilave ne duhet të përgatisim dhe shqyrtojmë dosjet janë shkurtuar jashtëzakonisht… Por ne shqyrtojme histori njerëzore, jo thjesht shifra…kemi nevojë për më shumë kohë pasi vendosim për jetë njerëzore”, – tha disa ditë më parë Sebastien Brisard i cili shtoi se CNDA e kundërshton ligjin që Collomb do tiI dorëzojë parlamentit në 21 shkurt. Aty kërkohen shkurtime të tjera në kohë të procedurave…

Aurélien Taché, nga ana tjetër, ka preferuar të flasë me shifra. Ai ka shfrytëzuar sidomos të dhënat e OECD, sipas të cilave vetëm “1 në 3 emigrantë kanë gjetur punë në Francë pas 5 vjetësh qendrimi!!”. 33-vjeçari nuk ka përtuar të fusë në raportin e tij prej 131 faqesh edhe shifra që e krahasojnë Francën me vendet fqinjë kur vjen puna te numri i dhënë i lejeve të qendrimit dhe raporti i emigrantëve me popullsinë franceze. Ato janë shumë larg asaj që vetë ne, të huajt të mbërritur në Francë, por edhe vetë francezë dinin, duke e hedhur poshtë idenë e përgjithshme se “të gjithë emigrantët i janë drejtuar Francës”. Mjaton të kujtoj se këtë janar, 63% e francezëve të pyetur në një sondazh serioz, që bëri bujë në median franceze dhe ndërkombëtare, deklaruan se mendojnë që në Francë ka shumë emigrantë.

Jo. Suedia e freskët dhe e heshtur, Norvegjia, Belgjika, Gjermania po e po, shkurt të gjitha vendet fqinje europiane kanë dhënë më shumë leje qendrimi për emigrantët dhe kanë një raport shumë më të lartë të tyre me popullsinë. Gjatë 2015-2016, Suedia ka pranuar 99 mijë kërkesa për azil, në një kohë që ka raportin 1 refugjat për 101 banorë. Gjermania pranoi 575 mijë dhe ka një raport 1 refugjat për 141 banorë. Kurse Franca ka pranuar vetëm 50 mijë kërkesa për azil dhe ka 1 refugjat për 1340 banorë!

Tache propozon që gjithçka të ndryshojë dhe që Franca të nisë një rrugëtim të ri, më njerëzor, ndaj emigrantëve. Të paktën, duke filluar t’u ngjajë disi fqinjëve. Shumica e të cilëve, fatkeqësisht, janë ende larg kuotave të pranimit të refugjatëve propozuar nga Bashkimi Europian…