Lajmi fundit/Hapet Greqia në të dyja anët pikën kufitare të Kapshticës, çfarë duhet të dini përpara udhëtimit

Greqia ka hapur në të dyja anët kufirin me Shqipërinë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Lajmi bëhet i ditur nga burime të siguruara pranë Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit të qarkut të Korçës.

I njëjti burim tha se megjithëse pala greke e ka konfirmuar një gjë të tillë akoma në këtë drejtori nuk ka ardhur zyrtarisht shkresa që bën me dije fillimin normal të punës në të dyja anët e kufirit.

Burimet nga ana tjetër thanë se të gjithë shqiptarët që do të kalojnë nga Shqipëria në drejtim të vendit fqinj duhet të jenë të pajisur me formularin PFL si dhe të kenë realizuar 72 orë përpara tamponin.

Të gjithë personat që janë të pajisur me formular dhe tampon mund të kalojnë normalisht në shtetin helen. Pra, do të lejohen të hyjnë drejt Greqisë të gjitha kategoritë e mjeteve si shërbim taxi, mjete të tonazhit të rëndë por edhe shtetasit me leje qëndrimi, shtetas grekë apo evropianë të tjerë. /abcnews.al/