Heqja e izolimit në Greqi,Anila Rezhda për hapjen e Kapshticës: Greqia ka nevojë për shqiptarët që punojnë

0
1602

Anila Rezhda, përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Greqi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania ka folur mbi mundësinë e rinisjes së lëvizjeve në shtetin fqinjë, tani që Greqia po hap sezonin turistik.

Znj. Rezhda tha se gjatë ditës së sotme pritet që qeveria greke të vendosë se si do të veprohet me dy pikat kufitare të vendit tonë me Greqinë, përkatësisht pikën e Kapshticës dhe të Kakavijës.

“Të gjithë shtetasit shqiptarë presim një lajm mbi hapjen e pikave kufitare me Shqipërinë me pikën e Kapshticën dhe për të parë nëse lëvizja do të jetë e kufizuar vetëm deri në 300 pasagjerë në Kakavijë”, u shpreh znj. Rezhda.

Anila Rezhda tha se shtetasit shqiptarë në Greqi përmbushin 30 vjet në Greqi dhe nuk kanë problem papunësie, pasi ata janë me përvojë të gjatë në fushën e turizmit që është një ndër industritë thelbësore në Greqi, por edhe në fushën e ndërtimit.

“Shqiptarët punësohen në linjën e parë të industrisë greke, që është turizmi, në gastronomi, në restorante kështu që nuk kemi problem. Shtetasit shqiptarë kanë vazhduar të ruajnë vendin e tyre të punës për arsye të cilësisë që japim”, tha Anila Rezhda.

“Të mos harrojmë që në gjithë këtë periudhë ka qenë restaurimi i komplekseve turistike, i hoteleve dhe shtëpive që jepen me qira të cilat janë një punësim i mirë për shtetasit shqiptarë që aderojnë edhe në fushën e ndërtimit në Greqi”, shtoi ajo.

Anila Rezhda tha se mundësitë që shteti grek të vendosë qarkullim të lirë me Shqipërinë janë të shumta, jo vetëm për shkak të vizitorëve por edhe të personave që udhëtojnë në Greqi gjatë verës, për të punuar part-time. Sipas znj. Rezhda, shteti grek ka nevojë për fuqinë punëtore të shqiptarëve të punojnë part-time tre muaj.

Shtetasit shqiptarë që vijnë me punë part-time tre-mujore në Greqi, janë një dorë e mbarë pune, janë njerëz të domosdoshëm për mbledhjen e produkteve bujqësore që në muajt e verës arrin në kulmin e prodhueshmërisë dhe jam e bindur se kjo do të zgjidhet midis dy qeverive.euronews