Ervini djali që po “mposht” sëmundjen e rend me përkujdesjen e xhaxhait dhe sportit

Historia e Ervin Kananit nuk është e panjohur për publikun. Ai është një djalë i sëmurë epileptiko-autik, i cili ngeli mes katër rrugëve pas vdekjeve të prindërve dhe që nga ai moment për të po kujdeset xhaxhai, Gjergj Kanani. Mirëpo, falë kësaj përkujdesjeje Ervini ka arritur një përmirësim të pabesueshëm, madje nuk ka shenja epilepsie prej muajsh.

I ftuar në emisionin “ABC e Mëngjesit”, bashkë me xhaxhain dhe trajnerin, Frenkli Myftari, kanë treguar përmirësimin e tij të vazhueshëm.

“Janë bërë 4 kura me serume të ndjekura në kohë, i është bërë një ndërhyrhje në tru me lazer në Stamboll, që ishte shumë e thjeshtë. Për shkak të epilepsisë, Ervini ka pasur një njollë në tru dhe iu bë analiza e gjenetikës, të gjitha llojet, rezonancë, skaner dhe u arrit përfundimin që ka një njollë dhe kjo njollë shkrihet me lazer. U arrit qëllimi dhe zgjati diku 38 minuta si situatë. Tani nuk ka edhe kriza epilepsie. Situata emocionale, trajtimi me kura, qendrimi afër, palestra kanë ndikuar shumë”, tha xhaxhai.

“Unë e kam me kënaqësi të punojë me njerëz si Ervini sepse kickbox përveç aktivizon gjithë muskujt, aktivizon edhe një pjesë të trurit. Kickbox-i tregon teknikë, kombinime, ushtrime të ndryshme dhe kjo e ka ndihmuar shumë Ervinin për krahun e majtë që e ka pasur problem. Ne bëjmë shumë fortë ushtrime fizike, ushtrime izometrike, ushtrime force që ndikojnë pozitivisht në trupin e Ervinit”, u shpreh trajneri./Abcnews